
Personat LGBTI+ në Kosovë janë të detyruar të bëjnë jetë të dyfishtë, si pasojë e mospranimit, fillimisht brenda familjes, dhe më pas nga shoqëria, thotë Arbër Nuhiu, udhëheqës i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore. Një prej arsyeve pse personat LGBTI+ në Kosovë nuk dalin hapur, sipas tij, është sepse ata janë të vetëdijshëm për pasojat dhe mund të mbesin pa strehim për një kohë të caktuar. Zyrtarët e lartë shtetërorë marrin pjesë në Paradën e Krenarisë, megjithatë Kosova nuk i lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë. Kjo gjë ishte paraparë të rregullohej me Projektkodin Civil, i cili nuk ka marrë mbështetje në Kuvendin e Kosovës.
Jun 15, 2024
30 min

Në Kosovë janë shtatë strehimore, që njihen si shtëpi të sigurta. Ato janë portë për të gjitha gratë, të cilat janë viktima të dhunës në familje dhe vendosin të largohen nga shtëpitë ku përjetojnë dhunën, si dhe për fëmijët e tyre. Erblina Dinarama udhëheq njërën nga këto strehimore, në Gjakovë. Në këtë episod të podkastit Libertas, ajo ndan me ne detaje të shërbimeve që ofrohen në strehimore, duke nisur nga strehimi, kujdesi për mirëqenien e shëndetit mendor e deri te pavarësimi i të mbijetuarave të dhunës.
May 8, 2024
33 min

Në këtë episod special të podkastit Libertas, një e mbijetuar e dhunës në familje rrëfen historinë e saj, nga vdekja e bashkëshortit e deri tek dhuna psikike e fizike që ia shkaktoi i ati saj. Në këtë rrëfim, ajo tregon përballjen me dhunën sistematike, shpeshherë në prani të dy fëmijëve të saj, si dhe momentin kur vendosi ta raportonte babanë e saj në polici. Mes tjerash, ajo rrëfen për trajtimin e traumave dhe për ëndrrat e lëna në gjysmë.
May 1, 2024
30 min

Vrasja e grave në Kosovë nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët dhe partnerët e tyre, është bërë e shpeshtë. Por, këto raste mund të “parandalohen përmes edukimit”, thotë psikologia klinike Ibe Linda Halili, me të cilën flasim në këtë episod të pokastit Libertas. Halimi flet për mangësitë institucionale që çojnë në vrasjen e grave.
Apr 25, 2024
38 min

Në këtë episod të podkastit Libertas flasim me koordinatoren e qendrës për parandalimin e vetëvrasjeve "Linja e Jetës", dhe me njërin nga 47 vullnetarët e saj. Përderisa Yllza Nikqi flet për mënyrën e funksionimit dhe sfidat, Art Lleshi ndan edhe përvoja personale të një periudhe të rënduar emocionale që ka kaluar, si dhe rrëfen për angazhimin e tij për t’i ndihmuar të tjerët që mund të jenë duke u përballur me momente të vështira.
Apr 11, 2024
29 min

Në këtë episod të podkastit Libertas flasim rreth çrregullimit të mungesës së vëmendjes dhe të hiperaktivitetit, që ndryshe njihet si ADHD. Psikologu klinik, Visar Sadiku, flet për tipat dhe nëntipat e këtij çrregullimi neurologjik, për efektin që ka ai në të gjitha moshat, dhe për mënyrat e duhura për t’i menaxhuar simptomat. Psikologu Sadiku flet për dallimet që ky çrregullim ka te fëmijët dhe të rriturit, duke ofruar këshilla rreth aktiviteteve që ndihmojnë në uljen e intensitetit të simptomave.
Apr 3, 2024
38 min

Kësaj radhe në podkastin Libertas, me psikologen klinike, Jeta Deva, diskutojmë për çrregullimin narcistik të personalitetit. Në këtë episod mund të informoheni më shumë lidhur me shenjat dalluese, parandalimin dhe mënyrat e trajtimit për të menaxhuar një çrregullim të tillë. Sipas Devës, ndër karakteristikat më të theksuara te personat me çrregullim narcistik është mungesa e ndjeshmërisë ndaj personave të tjerë dhe mungesa e vetëbesimit. Në këtë kontekst, ajo shton se në mënyrë që të mbahen raporte të shëndosha, është shumë i rëndësishëm caktimi i kufijve të qartë nga ana e familjarëve, shoqërisë apo atyre që kanë raporte tjera me individë me çrregullim narcistik.
Mar 27, 2024
27 min

Në këtë episod të podkastit Libertas, Albert Selimi rrëfen luftën e tij me ankthin dhe tejkalimin e tij. Në një bisedë intime, ai flet për përvoja të rënda emocionale gjatë rritjes, përfshirë bullizimin nga fëmijët e tjerë. “Vizita e parë ka qenë e gjitha me lot, nuk dija nga t’ia nisja”, thotë Alberti teksa kujton momentin kur vendosi të trajtohej te psikiatri. Sot, kur e ka kaluar këtë sfidë dhe është fokusuar në realizimin e ëndrrës, botimin e një libri për fëmijë, ai u jep kurajë atyre që po përballen me situatë të njëjtë të mos heqin dorë nga trajtimi, teksa i quan “luftëtarë”.
Mar 20, 2024
39 min

Miliona njerëz në botë përballen me stresin post-traumatik, që është një gjendje që zakonisht shfaqet te njerëzit që përjetojnë ose kanë qenë dëshmitarë të një ngjarjeje traumatike. Në këtë episod të podkastit Libertas ku trajtojmë rëndësinë e shëndetit mendor, Vesa Haxhikadriu, rrëfen momentet kur gjendja e saj mentale u keqësua si pasojë e vdekjes së djalit të saj, Yllit. Ndërsa psikologu klinik, Visar Sadiku, flet për simptomat, pasojat dhe trajtimin e stresit post-traumatik.
Mar 13, 2024
36 min

Depresioni, çrregullim nga i cili vuajnë qindra miliona njerëz në botë, përcillet me shenja të dallueshme në sjellje, mungesë ndërveprimi me të tjerët dhe me shkëputje nga aktivitetet. Përtej paragjykimeve, depresioni trajtohet dhe ka një përqindje të lartë të suksesit në trajtim. Në episodin e dytë të sezonit të ri të podkastit Libertas, ku trajtojmë shëndetin mendor, flasim me psikologun Visar Sadiku lidhur me simptomat, karakteristikat e depresionit dhe metodat e trajtimit.
Mar 6, 2024
41 min
Load more
